You are on page 1of 6

Dr.

ARISTOTEL SPIRO

ALFABETI SHQIP – MITI DHE E VËRTETA

Kongresi i Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908, përbënte ngjarjen më të madhe


në gjithë historinë e deriatëhershme të gjuhës shqipe. Ai vuri rregull në laryshinë
grafematike që karakterizonte shkrimin shqip dhe hapte horizonte për zhvillimin dhe
kultivimin e gjuhës në të gjitha aspektet.
Kongresi i Manastirit ishte jo vetëm një ngjarje gjuhësore, por përbënte një ngjarje
me rëndësi të madhe politike, shoqërore dhe kombëtare për Shqipërinë, e cila përgatitej
të linte pas varësinë pesëshekullore osmane dhe të dilte si një entitet i pavarur shtetëror.
Lidhur me këtë ngjarje është krijuar një bibliografi e pasur, janë shkruar shumë artikuj,
studime, monografi dhe janë mbajtur sesione përkujtimore-shkencore. Në artikullin tonë
do të rimarrim çështjen themelore që u vu në qendër të vëmendjes së Kongresit dhe që u
përqendrua në diskutimet për alfabetin.
Kongresi i Manastirit u quajt ndryshe edhe Kongresi i Alfabetit. Por a e justifikoi
këtë emër? Pjesërisht po, ndërsa në një kuptim të rreptë shkencor nuk e justifikoi. Ai
vendosi përdorimin e dy alfabeteve (shih T. Osmani, Histori e alfabetit të gjuhës shqipe,
SHBLSH:Tiranë 1987:258.): njërin mbështetur në shkronjat latine dhe një tjetër
mbështetur gjithashtu në shkronjat latine, por të plotësuar edhe me disa shkronja greke.
Këtej rrjedh edhe ndryshimi midis tyre. Ndërsa tek njëri alfabet përdoreshin kombinime
dyshkronjëshe për të pasqyruar një «tingull», tek tjetri nuk përdoreshin kombinime të
tilla. Problemi do të quhej i zgjidhur, në qoftë se do të ishte miratuar një alfabet i vetëm.
Organizatorët dhe delegatët e Kongresit i njihnin problemet që lidheshin me të shkruarit
e shqipes. Ata synonin të jepnin një zgjidhje praktike gjalluese. Por tradita ishte kaq e
fortë, saqë nuk mund të kalohej pa vështirësi të mëdha në një alfabet të vetëm. Kongresi
i Manastirit e vështroi në radhë të parë praktikisht problemin. Nuk pati ndonjë platformë
teorike të përgjithshme, e cila do ta përcaktonte vendimin. Në të vërtetë, parimi i
pranuar nga të gjithë ishte kriteri i përkimit të një tingulli me një shkronjë. Kjo, besoj,
është arsyeja kryesore që alfabeti i propozuar nga Shoqëria e Stambollit u rezistoi
kritikave. Do të pranohej një alfabet që do t’u shërbente më mirë gjithë shqiptarëve, me
ato mjete teknike që disponoheshin, me shtypshkronja që nuk do të kërkonin shpenzime
të mëdha. Për shtypjen e librave shqip një alfabet i veçantë, p.sh., do të kërkonte
shkronja prej plumbi të veçanta, gjë që do ta vështirësonte procesin e botimit. Mandej,
një alfabet i ndryshëm do t’i vështirësonte në mënyrë të panevojshme kontaktet
kulturore të gjuhës shqipe me kulturat e tjera të vendeve evropiane. Por ai do të ishte i
vështirë për t’u nxënë edhe nga vetë shqiptarët, të cilët do të duhej të flaknin me këtë
rast gjithë atë traditë disashekullore shkrimi të shqipes dhe t’i hynin mësimit të një
sistemi të ri shkrimor.
Kongresi i Manastirit duhej të zgjidhte në thelb debatin për alternativën midis
zgjidhjes teorike dhe zgjidhjes praktike, midis versionit të Shoqërisë Stambollit (dhe
Sofies) dhe versionit të Shoqërisë «Bashkimi» (dhe «Agimi»). Këto ishin dy alfabete që
përdoreshin edhe më parë.
Tradicionalisht në Shqipërinë Veriore përdorej kryesisht alfabeti latin, ndërsa në
Shqipërinë Jugore alfabeti grek. Këto dy përdorime kryesore shpjegohen në radhë të
parë me gjeografinë e traditës fetare dhe me ndikimin e traditave kulturore që ato
2

nënkuptonin. Në Veri kishte ndikim katolicizmi, ndërsa në Jug ortodoksia. Megjithë


pushtimin e gjatë osman, gjuha shqipe vetëm në raste të kufizuara u shkrua me alfabet
arab. Kurani këndohej në origjinal, kështu që nuk lindi nevoja të përkthehej në shqip. I
vogël ka qenë edhe ndikimi i alfabetit cirilik. Ai më së shumti ka shërbyer për të
shënuar «tinguj» të veçantë të shqipes në alfabete të mbështetur në atë grek apo latin.
Në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë alfabeti latin po fitonte truall duke u
shtrirë edhe në Jug të vendit.
Në të kaluarën ishin përpunuar dhe përdorur alfabete origjinale të shqipes
(Anonimi i Elbasanit, Naum Veqilharxhi etj.). Gjithashtu, H. Tahsini përkrahu më vonë
tezën e krijimit të një alfabeti të veçantë të shqipes (T. Osmani, vep. e cit., 172). Por kjo
mundësi nuk u mor parasysh, jo vetëm për arsye praktike (kostoja e lartë e përgatitjes së
karaktereve të veçanta) (Ky shqetësim konfirmohet edhe nga H. Pederseni (shih H.
Pedersen, Shqip 1905, tek «Studime rreth historisë së gjuhës shqipe». Universiteti i
Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Katedra e gjuhës shqipe, Tiranë
1973:250)), por edhe thjesht për arsye historike dhe filologjike. Mes dy sistemeve
kryesore të njohura shkrimi, gjetja e një sistemi tjetër ishte joekonomike. Në shumicën e
tyre dërrmuese, shkrimet shqipe deri atëherë ekzistonin në dy alfabete kryesore:
latinisht dhe greqisht. Pra, shqiptarët nuk niseshin nga asgjëja. Veprat e Buzukut,
Bogdanit, Bardhit, Budit ishin shkruar në alfabetin latin. Vangjel Meksi dhe Grigor
Gjirokastriti e shkruan Dhiatën me alfabetin grek. Shqiptarët ftoheshin tani të shpallnin
një alfabet në një kontekst kulturor. Zbatimi i një sistemi grafematik origjinal,
megjithëse me synime pozitive, mbetej utopik dhe jopraktik.
Autoritetin më të madh në Kongres e kishte Shoqëria e Stambollit (ose Shoqëria e
të Shtypurit Shkronja Shqip). Rreth saj ishin mbledhur emra të shquar të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare, shumica e të cilëve e kishin prejardhjen nga jugu dhe kishin
marrë një kulturë greke. Në arsimin grek të asaj kohe sundonte kulti i kulturës së lashtë,
shprehja gjuhësore e të cilit ishte përdorimi i katharevusës (greqishtes së kulluar). Kjo
ishte edhe forma gjuhësore në të cilën u shkolluan rilindësit shqiptarë, në këtë formë
gjuhësore shkruan shkrime dhe në këtë formë u frymëzuan për të shkruar krijimet e tyre
letrare. Përvetësimi i katharevusës e ndante individin e shkolluar nga «vulgu». Askush
nuk mund të vinte në dyshim autoritetin e saj. Aq më pak mund të vihej në dyshim
autoriteti i shkronjave të alfabetit grek, me histori mijëravjeçare dhe më nënkuptimet e
vetvetishme të lashtësisë dhe të universalitetit kulturor. Duke përdorur fillimisht këtë
alfabet, Shoqëria e Stambollit, dhe sidomos Jani Vretoja, përveç të tjerash, tërthorazi i
atribuonte shqipes atë prestigj të nënkuptueshëm që kishte edhe greqishtja. Prandaj nuk
duhet të duket e habitshme që Shoqëria e Stambollit, që ushtronte ndikim të madh në
hapësirën shqiptare, për një kohë të gjatë pati përdorur një alfabet ku përfshiheshin edhe
shtatë shkronja greke (shih J. Vreto, Vepra të zgjedhura, përgatitur nga A. Uçi, Tiranë
1973:275-287). Përdorimi i dyshkronjëshave parimisht nuk u pëlqye nga shumica e
pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit (T. Osmani, vep. e cit., 175).
Kongresi i Manastirit nuk arriti të miratonte përdorimin e një alfabeti të vetëm. Në
këtë kuptim, ai nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e alfabetit. Por atë e zgjidhi koha.
Gradualisht alfabeti me shkronja greke u hoq nga përdorimi dhe u përdor vetëm alfabeti
latin.
Arsyet e mënjanimit të alfabetit të Shoqërisë së Stambollit janë të ndryshme.
3

Pavarësisht se ishte përdorur në shkallë të gjerë dhe nga një shoqëri me


reputacion, ai nuk kishte karakter koherent. Shkronjat e tij nuk ishin të gjitha latine; ai
përfshinte edhe disa shkronja greke. Ky karakter jokoherent sillte edhe vështirësi
praktike në shtypjen e librave.
Vërtet alfabeti i shoqërisë së Stambollit (dhe Sofies) mund të ishte më i pasur në
grafema, por ajo pasuri binte ndesh me ligjin e ekonomisë gjuhësore. Alfabeti i
shoqërive «Bashkimi» dhe «Agimi» kishte më pak grafema, por kjo nuk tregonte
varfëri; ai ishte më ekonomik dhe më i zhdërvjellët. Kjo ishte një epërsi që e bënte
alfabetin latin më të përdorshëm në praktikë (Një gjë të tillë e pati pasë theksuar më se
një herë shprehimisht K. Kristoforidhi (shih T. Osmani, vep. e cit., 110)).
Kongresi i Manastirit u mbajt më 1908, pikërisht katër vjet para shpalljes së
Pavarësisë së Shqipërisë (1912). Ende nuk ishte formuar shteti shqiptar, autoriteti i të
cilit mund të përdorej edhe në Kongres për të përfunduar në një zgjidhje të vetme. Në
Kongresin e Manastirit u vendos që të mblidheshin edhe një herë pas tre vjetësh (më
10.02.1910) për të diskutuar përsëri për çështjen e alfabetit (T. Osmani, vep. e cit., 258,
260). Por ai kongres nuk u rimblodh kurrë. Jemi të prirur të mendojmë se, po të
rimbahej një kongres, sidomos në kushtet e ekzistencës së shtetit shqiptar, do të merrej
vendim vetëm për një alfabet, dhe ai do të ishte që në fillim alfabeti latin. Zgjedhja e
alfabetit latin do të ndikonte në krejt orientimin kulturor të Shqipërisë, por mbi të gjitha
kishte një kuptim politik. Tani koha e iluminizmit rilindës mbërrinte në pikëpërfundimin
e vet dhe Shqipëria po dilte si një entitet shtetëror i mëvetësishëm. Ishte e
vetëkuptueshme që në këto rrethana do të orientoheshin përkah alfabeti latin, të cilin e
përdornin vendet e Evropës Perëndimore.
Zgjedhja e alfabetit latin ka rëndësi themelore edhe në pikëpamje të formimit të
gjuhës letrare kombëtare shqipe. Pa njësimin e shkrimit dhe drejtshkrimit nuk mund të
flitej seriozisht për një gjuhë letrare. Ndërsa në bazë të gjuhës së folur u vu dialekti
toskë, në bazë të gjuhës së shkruar u pranua tradita veriore e shkrimit latin. U plotësua
ajo që shkruante A. Xhuvani te revista «Albania» më 1905 se «Me kët mënyrë më duket
qi të dy palëvet nuk do t’u vi keq, sepse toskët më nj’anë do apinë dialektin e vet për
gjuhë letrëtare, më tjetër anë gegët, vepr’ e të cilëve quhet «Bashkimi», do apinë
shkronjat e veta, të cilat sot janë ma të pëlqyeshme dhe ma të përdorueme prej ma të
shumëve shkrimtarë» (shih A. Xhuvani, Çashtja e abesë, në Vepra, I, Tiranë 1980:49).
Megjithëse alfabeti i propozuar nga shoqëria e Stambollit u mënjanua nga
përdorimi, ai la gjurmët e veta tek alfabeti latin dhe ndihmoi në krijimin e një
keqkuptimi të madh historik. Të dy alfabetet e miratuara nga Kongresi i Manastirit kanë
nga 36 shkronja. Në të vërtetë, vetëm alfabeti i Shoqërisë së Stambollit paraqitet si
kryesor, pasi në të çdo foneme («tingulli») i korrespondon një grafemë («shkronjë»).
Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit ka tridhjetë e gjashtë grafema, ndërsa alfabeti i
Shoqërisë «Bashkimi» ka më pak. Këtu nuk zbatohet parimi «një tingull-një shkronjë».
Një pjesë e shkronjave tek alfabeti latin i Kongresit të Manastirit përbëhen nga dy
grafema (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh). Në këtë kuptim, Kongresi i vendosi të dy
alfabetet në një rol korrelativ, ku të dy alternonin rolin referent dhe rolin shpjegues.
Kështu, dyshkronjëshat në alfabetin pastërtisht latin, luajnë një rol shpjegues, por
emërtohen shkronja në një vështrim praktik, sepse shënojnë një «tingull». Nga kjo
pikëpamje, alfabeti i Shoqërisë «Bashkimi» (dhe «Agimi») e përmbush plotësisht
kriterin «një tingull-një shkronjë». Në këto rrethana duhet krijuar një bindje eufemike se
4

nuk qëndron më poshtë se alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (dhe Sofies), në të cilin çdo
fonemë përkon me një grafemë dhe anasjelltas çdo grafemë me një fonemë.
Parë në këtë prizëm, mund të thuhet se Kongresi i Manastirit mori në shqyrtim në
thelb çështjen e njësimit të sistemit shkrimor. Formalisht çështja e alfabetit nuk u zgjidh
në mënyrë të plotë, përderisa u pranuan dy alfabete. Koha nga Kongresi i Manastirit
deri në fund të Luftës I Botërore (1918), kur mbeti në përdorim alfabeti thjesht latin (M.
Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908), tek
«Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) - Studime,
materiale, dokumente». Universiteti i Tiranës - Instituti i Historisë - Instituti i Gjuhësisë
e Letërsisë, Tiranë 1972:39), mund të quhet periudhë kalimtare. Si në çdo periudhë
kalimtare të shkrimit të gjuhëve kombëtare, edhe në rastin shqiptar u përdorën dy
alfabete. Një gjë e ngjashme u vu re disa vjet më vonë në Turqi, me futjen e alfabetit
latin (1928), i cili nuk e shmangu menjëherë traditën e shkrimit me alfabetin arab (shih
I. J. Gelb, Pour une théorie de l’écriture, Flammarion, Paris 1973:256 (Titulli i
origjinalit: A Studdy of Writing (1952). The University of Chicago Press 1952 , bot. II
1963)). Me kalimin e viteve, pasi alfabeti latin u pranua si i vetmi, domethënë pasi kaloi
nga roli shpjegues në zgjedhjen e vetme, nuk pati asnjë deklarim zyrtar nga ndonjë
autoriteti përkatës për këtë çështje, nuk u mbajt më kurrë ndonjë kongres në lidhje me
të. Prej sa shkronjash përbëhej më në fund alfabeti i shqipes? U pranua ajo listë e
Kongresit të Manastirit me shkronjat latine dhe u interpretuan si shkronja të veçanta
edhe dyshkronjëshat. Pra, së bashku me to, alfabeti shqip rezultonte me 36 shkronja.
Kështu, shqipja tashmë jo vetëm që kishte alfabetin e vet, por numëronte plot 36
shkronja, domethënë, më shumë se gjuhë të tjera të njohura. Një numër që ishte shumë
domethënës për gjithë ata që deri atëherë flisnin për një popull që nuk kishte shkronja.
Megjithëse një e dhënë statistikore, ajo mund të shfrytëzohej shumë lehtë për të
injektuar krenarinë tek shqiptarët.
Alfabeti shqip, ku do të përfshiheshin edhe dyshkronjëshat, pasqyronte
përmbledhtas gjithë inventarin fonetik të shqipes. Çdo e keqe ka edhe një të mirë. Ishte
një nga favoret që ofronte vonesa relative në vendosjen e një shkrimi të njësuar.
Mjaftonte të dije alfabetin e shqipes dhe menjëherë mund të lexoje në këtë gjuhë. Të
huajt mund ta kuptonin dhe ta mësonin lehtë. Për nxënësit shqiptarë të nxënët e alfabetit
mund barazohej me të nxënët e të kënduarit (=lexuarit). Vërtet një gjë shumë e mirë, por
një atribut për të cilin nuk ka nevojë asnjë alfabet. Kjo pikëpamje, që infiltrohej vetiu,
do të bëhej gjithsesi pengesë gjatë mësimit të gjuhëve të huaja, ku studentët do të
reagonin të zhgënjyer për anomalinë e atyre gjuhëve, në alfabetin e të cilave nuk
përfshiheshin të gjithë tingujt.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20-25 nëntor 1972) mund të ishte një
rast i përshtatshëm për të diskutuar solemnisht edhe një herë për çështje të alfabetit
shqip. Por ky rast nuk u shfrytëzua. Asnjë diskutim nuk u bë më për këtë problem.
Rezerva për sistemin shkrimor të shqipes janë bërë, por ato janë përqendruar më
shumë tek ana funksionale e tij, d.m.th. sa i aftë është ai për të pasqyruar në mënyrë
adekuate ligjërimin shqip. Është vlerësuar zakonisht pozitivisht, por janë bërë vërejtje
për raste problematike (khs. A. Xhuvani, Orthografia e gjuhës shqipe, në Vepra, I,
Tiranë 1980: 75).
5

Sot, pas afro një shekulli nga Kongresi i Manastirit, mendoj se ka ardhur koha që e
vërteta të vihet në vend. Të hiqen përfundimisht dyshkronjëshat nga lista e alfabetit dhe
të mbeten vetëm grafemat.
Alfabeti i një gjuhe përmbledh inventarin e grafemave të saj. Grafema përbën
njësinë më të vogël të shkrimit, e cila karakterizohet nga integriteti dhe paraqitet si një
tërësi e paanalizueshme.
Në një kuptim të rreptë, alfabetet në botë janë pak: alfabeti latin, cirilik, grek, arab
etj. Shkrimi i çdo gjuhe të veçantë përcaktohet nga përdorimi i një modeli alfabetik të
përgjithshëm dhe i një drejtshkrimi kombëtar (shih C. Blanche-Beneviste & A. Chervel,
L’orthographe, Maspero, Paris 1978:14, ku flitet për rastin e frëngjishtes). Alfabetet
kombëtare të vendeve të Evropës, për shembull, nuk janë veçse përshtatje e alfabetit
latin ose atij cirilik. Alfabeti grek përdoret vetëm për të shkruar gjuhën greke.
Asnjë alfabeti nuk i kërkohet të pasqyrojë gjithë sistemin fonetik të një gjuhe. Ai
përbën inventarin e grafemave të një gjuhe. Ky është kuptimi i alfabetit në të gjitha
gjuhët e kultivuara. Po të qe ndryshe, në qoftë se fjala vjen do të llogariteshin si
shkronja të veçanta të gjitha kombinime e shenjave që pasqyron një fonemë, atëherë
gjendja në ato gjuhë do të paraqitej ndryshe. Në frëngjishte janë 30 shkronja e
kombinime shkronjash që shërbejnë për të pasqyruar fonema. Në gjermanishte janë 39,
në polonishte 32, në anglishte 43 etj. Për të përshkruar sistemin grafematik të një gjuhe
nuk nisemi nga fonetika, por nga shenjat grafike që disponon ajo gjuhë. Ky sistem ka
një pavarësi relative, ka rregullat e veta, të cilat dalin pas një studimi sistematik
shkencor. Ashtu si çdo drejtshkrim nuk mund të ketë veçse karakter fonologjik (të
mbështetet mbi parimin fonologjik), po ashtu edhe çdo alfabet duhet të ketë karakter
grafematik (të mbështetet mbi parimin grafematik). Kjo është arsyeja që përbërja e
alfabetit të shqipes duhet rregulluar.
Veçse e bëjmë të qartë dhe e themi në mënyrë të prerë se diskutimin për përbërjen
e alfabetit e ndajmë nga diskutimi për drejtshkrimin. Nuk vëmë, pra, në dyshim,
sistemin shkrimor të shqipes. Kështu, inventari grafematik i shqipes përbëhet jo nga 36
«shkronja», por nga 27 grafema, të cilat janë: a, b, c, ç, d, e, ë, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o,
p, q, r, s, t, u, v, x, y, z. Ky është edhe alfabeti i saj.
Të ashtuquajturit dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) nuk mund të
kenë vend në alfabet, pasi ata janë të analizueshëm në dy grafema të tjera. Ndër to,
grafema e parë është themelore, ndërsa e dyta luan rolin e një shenje diakritike. Në këtë
rol dalin grafemat h (4 herë) dhe j (2 herë), të cilat qëndrojnë pranlë grafemës bosht dhe
nuk lidhen me të me asnjë mjet lidhës (ligaturë). Në dy raste të tjera (tek ll dhe rr) rolin
diakritik e luan dyfishimi. Përsa u përket ë-së dhe ç-së, e para me dendurinë më të lartë
të përdorimit dhe e dyta me denduri të ulët, ato duhen përfshirë në alfabetin e shqipes,
sepse, pavarësisht se përmbajnë shenja diakritike, janë të paanalizueshme në dy
grafema. Në praktikën e sotme shkrimore është dukuri e rëndomtë që ë-ja, kur përdoret
si shkronjë e madhe ose në funksion numërimi, të neutralizohet shpesh me e-në.
Shkronja ç mund të neutralizohet me c-në vetëm kur përdoret në funksion numërimi.
Sigurisht, ka edhe raste ligjërimore numërimesh, ku përfshihen përveç ç-së dhe ë-së
edhe dyshkronjëshat, të cilat, megjithëse të justifikueshme, nuk mbeten të
pakritikueshme. Numërimi si veprim i kalon caqet e një kuptimi të ngushtë gjuhësor, ai
duhet të paraqitet i njësuar në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Kjo parakupton
përdorimin e shkronjave të alfabetit me funksionin e simboleve të numërimit. Në këtë
6

rast përdorimi i shkronjave të një modeli alfabetik duhet të jetë i njësuar në plan
ndërkombëtar, domethënë, kur si simbole numërimi përdoren shkronjat latine, ato duhet
të kenë të njëjtën vlerë në të gjitha gjuhët që përdorin alfabetin latin.
Edhe gjuhë të tjera, shumë ose pak të njohura, përdorin dyshkronjësha, por nuk i
përfshijnë këto në inventarin e alfabetit të tyre. P.sh. në anglishte s dhe h shënojnë
fonemën /š/ [∫], por, siç dihet, nuk identifikohet si një grafemë (një shkronjë alfabeti),
por e përbërë nga dy grafema. Në kroatisht n dhe j mund të qëndrojnë si një shkronjë e
vetme, sepse lidhen me ligaturë (në serbishten e shkruar me shkrimin cirilik ligatura
është më e qartë).
Një tjetër problem që nuk mund të anashkalohet është ai i grafemës së huaj W, e
cila praktikisht përdoret rëndom në stilin shkencor, por edhe në atë publicistik. Sot, 100
vjet pas Kongresit të Manastirit, kur kultura shqiptare ka arritur një nivel të
pakrahasueshëm me të kaluarën, kur kontaktet kulturore me botën janë shtuar e
thjeshtuar, kur anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja etj. po mësohen nga një masë e
madhe njerëzish, mendoj se ka ardhur koha që asaj t’i njihet qytetaria në sistemin
grafematik të shqipes. Të pranohet, pra, si fonemë e shqipes W-ja, me vërejtjen se ajo
përdoret në fjalë të huazuara. Një dukuri e ngjashme është e njohur edhe në gjuhë të
tjera të Evropës. Latinishtja, p.sh., përdorte grafemat K, Y, Z për të shënuar fjalët me
origjinë greke, ndërsa grafemat J, U dhe W u shtuan më vonë për të shkruar fjalë të
huazuara nga gjuhë të tjera. E njëjta praktikë vërehet edhe në gjuhë të tjera si italishtja
(me përdorimin e grafemave K, J, W), estonishtja (që trupëzon në alfabetin e saj plot 9
grafema të huaja: F, S, Š, Z, Ž, C, Q, W, X, Y), portugalishtja (me grafemat K, W, Y),
rumanishtja (me grafemat Q, W, Y), suedishtja (me grafemat Z dhe K, e cila ka zënë
vendin e Q-së më më 1906) etj.
Njohja e alfabetit të shqipes me këtë trajtë ndihmon për të kuptuar qartë sistemin e
saj shkrimor, i cili paraqitet i thjeshtë, praktik dhe ekonomik. Ai sugjeron një pavarësi
nga sistemi fonematik, që haset në të gjitha gjuhët e kultivuara dhe çliron gjuhësinë nga
interpretimi filologjik i dukurive fonetike. Më në fund, do të ndihmojë që nxënësit ta
kuptojnë më mirë realitetin gjuhësor të shqipes. Një nga pikat më të rëndësishme të
studimit të sistemit shkrimor në gjuhën shqipe merr rëndësi të veçantë sidomos për
nxënësit e klasës së parë të shkollës fillore. Mësimi i grafemave duhet të mbështetet mbi
njohjen e këtij sistemi. Nuk duhet harruar se nxënësit e klasës së parë fillore mësojnë
më së pari jo alfabetin, por shkrimin dhe leximin. Një nxënës që reciton alfabetin nuk
mund të thuhet se patjetër ka mësuar të shkruajë e të lexojë. Të nxënët e grafemave nuk
nënkupton gjithsesi dhe të nxënët e shkrimit, i cili parakupton depërtimin nëpër ato
mekanizma, që i vënë në veprim shkronjat, që i vendosin këto shkronja në funksion të
shqiptimit.
Duke i njohur alfabetit të shqipes 27 grafema, aq sa ekzistojnë me të vërtetë, gjuha
shqipe as varfërohet, as pasurohet. Ndreqet, megjithatë, një gabim historik, pas të cilit
fshihej «fytyra» e saktë grafematike e gjuhës shqipe.

You might also like